Një oficer pranë Akademisë së Sigurisë ka denoncuar një situatë shqetësuese që po prek aktualisht kursantët e Patrullës së Përgjithshme, duke ngritur alarmin për ngarkesë të padrejtë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.
Sipas raportimit, kursantët ndjekin mësimin nga e hëna deri të premten, periudhë gjatë së cilës qëndrojnë të mbyllur brenda ambienteve të Akademisë. Të premten, rreth orës 14:25, atyre u lejohet dalja, ndërsa rikthimi bëhet ditën e hënë në orën 07:00 të mëngjesit.
Së fundmi, drejtuesit e Akademisë kanë vendosur që mësimi të zhvillohet edhe ditën e shtunë, vendim që ka shkaktuar shqetësim të madh, veçanërisht për kursantët që vijnë nga rrethe të largëta të vendit dhe që nuk disponojnë automjet personal e kësisoj janë të detyruar të udhëtojnë me transport publik.
Oficeri thekson se kjo ngarkesë e vazhdueshme ndikon negativisht në gjendjen fizike dhe psikologjike të kursantëve, duke shtuar stresin dhe lodhjen e tyre.
Gjithashtu, sipas raportimit, një pjesë e konsiderueshme e kursantëve aktualisht janë të prekur nga viroza gripale por pavarësisht kësaj situate shëndetësore, nuk është treguar asnjë fleksibilitet nga ana e drejtuesve, përkundrazi, mësimi i detyrueshëm edhe ditën e shtunë po e rëndon më tej gjendjen e tyre shëndetësore.
Oficeri bën thirrje që kjo çështje të shqyrtohet me seriozitet dhe të merren masa të arsyeshme, duke respektuar të drejtat, shëndetin dhe mirëqenien e kursantëve, si dhe parimet e barazisë dhe drejtësisë.
Denoncimi i oficerit:
Unë jam oficer pranë Akademisë së Sigurisë dhe po ju drejtohem për të denoncuar një situatë shqetësuese dhe të padrejtë që po ndodh aktualisht me kursantët e Patrullës së Përgjithshme.
Aktualisht, kursantët ndjekin mësimin nga dita e hënë deri ditën e premte, gjatë së cilës qëndrojnë të mbyllur brenda rrethimit të Akademisë. Të premten, rreth orës 14:25, atyre u lejohet dalja, ndërsa rikthimi në Akademi bëhet ditën e hënë në orën 07:00 të mëngjesit.
Së fundmi, Akademia e Sigurisë ka vendosur që mësimi të zhvillohet edhe ditën e shtunë. Ky vendim ka krijuar shqetësim të madh stresues, veçanërisht për kursantët që vijnë nga rrethe të largëta të Shqipërisë.
Për shembull, një kursant që banon në Ksamil, pas përfundimit të mësimit ditën e shtunë rreth orës 14:25, arrin në banesë orët e vona i lodhur nga rruga, Po ata kursantë që nuk kanë automjetet e tyre por levizin me transport publik si do ja bëjnë.!Ndërkohë, atij i duhet të niset sërish gjatë natës së së dielës për tu paraqitur në Akademi në orën 07:00 të mëngjesit të ditës së hënë. Kjo situatë e bën praktikisht të pamundur pushimin normal dhe rëndon ndjeshëm gjendjen fizike dhe psikologjike të kursantëve. Shpresoj që kjo çështje të shqyrtohet me seriozitet dhe të merren masa të arsyeshme, duke respektuar të drejtat dhe mirëqenien e kursantëve, si dhe parimin e barazisë dhe drejtësisë.
Dhe dua të shtojë se shumë kursant janë me virozë gripale, E këta as nuk e vrasin mëndjen fare. Ku përvec situatës gripale ju shtojnë edhe stresin duke ju bēr ditat e shtuna mësim.