Udhëtimi i kthimit drejt Greqisë për dy nga tifozët e plagosur të PAOK-ut ka nisur në orën 10:42 të mëngjesit të sotëm, kur avioni spitalor i Qendrës Kombëtare Greke të Kujdesit dhe Emergjencës (EKAB) u ngrit nga pista e aeroportit të Timisoarës, në Rumani. Ndërkohë, tifozi i tretë i plagosur nuk ka qenë në gjendje të udhëtojë, pasi një ditë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mjekët nuk i kanë rekomanduar lëvizje të menjëhershme.
20-vjeçari Konstantino dhe 28-vjeçari Mario pritet të mbërrijnë rreth orës 13:00 në aeroportin “Macedonia” të Selanikut, ku do të priten nga ambulancat dhe do të transportohen drejt spitaleve të qytetit për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Ndërkohë, i plagosuri i tretë, 20-vjeçari Kosta, do të vijojë të qëndrojë edhe për disa ditë në spitalin e Timisoarës, pas ndërhyrjes kirurgjikale që iu krye ditën e djeshme.
Gjatë pasdites së sotme, një fluturim special do të riatdhesojë trupat e shtatë tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën të martën pasdite në Rumani, si pasojë e aksidentit tragjik. Ndërsa autoritetet rumune vijojnë hetimet, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje në lidhje me shkaqet e sakta të përplasjes. Si të plagosurit, ashtu edhe trupat e viktimave, do të priten në aeroportin e Selanikut nga tifozët e organizuar të PAOK-ut.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e së martës, kur furgoni i zi me të cilin tifozët e PAOK-ut ishin nisur nga Selaniku drejt Lionit, për ndeshjen në Francë, u përplas “kokë më kokë” me një kamion në rajonin e Timișit, në Rumani. Si pasojë e përplasjes humbën jetën shtatë tifozë të PAOK-ut, mes tyre edhe shqiptari Vasil Pilo. Ndër të lënduarit ndodhet edhe një tifoz me origjinë shqiptare, Genci Sadiku, i cili dyshohet se mund të ketë dy identitete, çka bën që emri i tij të mos figurojë ende në listat zyrtare.