Shkëmbim zjarri gjatë shit-blerjes së drogës në Belgjikë: 16 plumba, 3 të plagosur rëndë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.01.2026, 11:00

Një shkëmbim i dhunshëm zjarri në zemër të Anversës, Belgjikë, ka çuar gjashtë persona para gjykatës për tentativë vrasjeje dhe trafik droge, pas një shit-blerjeje kokaine që doli jashtë kontrollit më 16 tetor 2024.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në Jezusstraat, pranë zonës tregtare Meir. Ajo që duhej të ishte një transaksion “rutinë” droge, 12 blloqe kokainë me vlerë 264.000 euro përfundoi në një përplasje me armë zjarri, ku u qëlluan 16 plumbadhe mbetën tre persona të plagosur rëndë.

Sipas hetimit, Arsen D. mbërriti në parkingun Opera në orën 15:04 me një çantë sportive që përmbante drogën, i shoqëruar nga Salvatore P. nga Brukseli. Takimi u zhvillua në një apartament mbi një lokal në Jezusstraat, ku ndodheshin disa shtetas shqiptarë.

Vetëm katër minuta më vonë, krismat tronditën lagjen. Në orën 15:08, Arsen D. dhe Salvatore P. u panë duke dalë të plagosur nga ndërtesa. Arsen D. ishte qëlluar në bark, krah dhe këmbë, ndërsa Salvatore P. kishte plagë në gjymtyrë.

Brenda apartamentit, policia gjeti shqiptarin Eno G. të plagosur rëndë, me një plumb që i kishte përshkuar faqen dhe kishte dalë nga goja, si dhe dëmtime serioze në mushkëri. Në tarracë u gjet i fshehur Fabio X., i paprekur. Aty u sekuestrua edhe një bllok kokaine.

Pesë persona u arrestuan në vendngjarje. I dyshuari i gjashtë, Niko M., u zhduk pas të shtënave. Kamerat e sigurisë e filmuan duke zbritur në stacionin e metrosë Groenplaats me një çantë sportive, ku dyshohet se ndodheshin blloqet e kokaine që mungojnë.

Sipas prokurorisë, nuk mund të përcaktohet se kush hapi zjarr i pari. “Të dyshuarit ishin shumë afër njëri-tjetrit dhe të gjithëve u janë gjetur gjurmë baruti,” deklaroi prokurori, duke kërkuar dënime nga 4 deri në 7 vjet burg për gjashtë të përfshirët.

Dënimet më të lehta u kërkuan për Fabio X., i cili pretendon se vetëm organizoi vendin e takimit, dhe për Ardak G., që sipas tij mbërriti pas të shtënave për të ndihmuar të plagosurit.

Avokatët mbrojtës nuk i mohuan akuzat për trafik droge, por kundërshtuan tentativën për vrasje. Sipas mbrojtjes së shqiptarëve, nuk kishte plan për përplasje të armatosur. “Nëse synon një përplasje, nuk takohesh mesditën në një apartament ku je i regjistruar vetë,” tha avokati Koen Vaneecke.

Nga ana tjetër, pala nga Brukseli pretendon se shqiptarët nuk kishin ndërmend të paguanin për drogën. Mbrojtja e Arsen D. argumentoi se ai veproi në vetëmbrojtje, duke qëlluar në panik vetëm pasi ishte hapur zjarr ndaj tij.

Shqiptari Eno G. mohoi se kishte qëlluar, pavarësisht se policia gjeti nën trupin e tij një pistoletë FN Browning 7.65. Ai deklaroi se i detyrohet jetën ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve emergjente.

Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 2 mars.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit