Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kërkonte shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Beqaj ndodhet prej më shumë se një viti në paraburgimin e Durrësit, pas arrestimit me urdhër të SPAK.
Po ashtu, Beqaj kërkoi edhe kthimin e çështjes për rigjykim, si dhe shlyerjen e shpenzimeve gjyqësore nga shteti. Këto kërkesa u rrëzuan nga Kushtetuesja.
Ish-ministri u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për skandalin e fondeve të SASPAC, ku akuzohet për abuzim me donacionet e huaja. Paralelisht, ai po gjykohet me procedurë të zakonshme edhe për dosjen e njohur të “Sterilizimit”.
SPAK e akuzon Beqajn për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një kontratë 10-vjeçare me vlerë rreth 100 milionë dollarë, e firmosur në dhjetor të vitit 2015 dhe ende në fuqi.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura për lirimin nga qelia, në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ish-ministri është përballur me vendime refuzuese. Edhe oferta e tij për garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, e paraqitur dy ditë pas arrestimit, u hodh poshtë nga gjykata.
Beqaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat e SPAK, por me vendimin e fundit të Kushtetueses, masa e “arrestit në burg” mbetet në fuqi.