Teksa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e katërt dhe vijon të jetë një përplasje e përgjakshme “lodhjeje” në front, Rusia po përdor gjithnjë e më shumë metoda të forta dhe të kushtueshme për të plotësuar radhët e ushtrisë, pa shkuar drejt një mobilizimi të përgjithshëm që do të ishte i papëlqyer brenda vendit.
Sipas raportimeve, Moska po i tërheq rekrutët me pagesa të larta, bonuse të majme, përfitime ekonomike, madje edhe me lirime nga burgu për të dënuarit që pranojnë të firmosin kontratë dhe të shkojnë në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, Rusia po zgjat dorën edhe jashtë kufijve, duke rekrutuar të huaj, përmes 'ofertave për punë', shtetësi të përshpejtuar dhe, sipas ankesave të disa shtetasve, edhe me mashtrime.
“Vetëm firmos kontratën”
Për një punëtor të zakonshëm në Rusi, lufta shihet si një mundësi për të fituar shuma që nuk do t’i siguronte dot në vite. Për një të burgosur, është rrugëdalje nga kushtet e rënda të qelisë. Ndërsa për një emigrant, është një mënyrë e shpejtë për të siguruar dokumente dhe shtetësi.
Kushti është vetëm një: të firmosë kontratë dhe të shkojë në Ukrainë.
Shifrat e Putinit dhe “hija” e humbjeve
Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar muajin e kaluar se 700 mijë trupa ruse janë duke luftuar në Ukrainë. Ai e ka përsëritur këtë shifër edhe më parë, ndërsa në dhjetor të vitit 2023 kishte përmendur një numër pak më të ulët – 617 mijë.
Megjithatë, këto shifra mbeten të vështira për t’u verifikuar dhe ajo që mungon pothuajse totalisht është transparenca mbi humbjet.
Autoritetet ruse kanë dhënë shumë pak të dhëna zyrtare, ndërsa Ministria Britanike e Mbrojtjes ka vlerësuar se mbi 1 milion ushtarë rusë mund të jenë vrarë ose plagosur.
Ndërkohë, një bashkëpunim mes portalit të pavarur rus “Mediazona”, BBC dhe vullnetarëve ka arritur të identifikojë me emra mbi 160 mijë ushtarë të vrarë, ku mes tyre ka edhe qindra të huaj nga dhjetëra shtete.
Pse Rusia shmang mobilizimin e përgjithshëm?
Ndryshe nga Ukraina, ku është në fuqi ligji ushtarak dhe mobilizimi kombëtar që prej nisjes së pushtimit në shkurt 2022, Putin ka refuzuar të shpallë mobilizim të gjerë.
Kur Rusia tentoi një mobilizim të kufizuar me 300 mijë burra në vitin 2022, dhjetëra mijëra njerëz u larguan jashtë vendit, duke e kthyer procesin në një goditje politike dhe sociale.
Edhe pse mobilizimi u ndërpre pas disa javësh, një dekret i Putinit e la të hapur mundësinë për një mobilizim të ri dhe i bëri kontratat ushtarake praktikisht pa afat, duke i ndaluar ushtarët të largohen nga shërbimi, përveç rasteve të caktuara (mosha, plagosje të rënda etj.).
Që prej asaj kohe, Moska deklaron se mbështetet kryesisht te “rekrutimi vullnetar”.
400 mijë “vullnetarë” në vit?
Putin ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar janë firmosur mbi 400 mijë kontrata të reja, shifër që sipas tij tregon se fluksi i rekrutëve vazhdon të jetë i lartë.
Por aktivistë dhe organizata të të drejtave të njeriut thonë se “vullnetarizmi” shpesh është relativ: kontratat u paraqiten qytetarëve si shërbim 1-vjeçar, por më pas zgjaten automatikisht pa fund, duke i mbajtur të lidhur me ushtrinë.
Bonuse marramendëse dhe privilegje
Për të nxitur firmosjen e kontratave, Rusia ka krijuar një sistem shpërblimesh ku përfshihen:
Në rajonin Khanty-Mansi, për shembull, një rekrut mund të marrë rreth 50 mijë dollarë bonuse nga paketa të ndryshme, një shumë që është më shumë se dyfishi i të ardhurave mesatare vjetore në atë zonë.
Presion edhe mbi ushtarët e detyruar
Edhe pse Rusia pretendon se nuk dërgon rekrutë të detyruar në Ukrainë, raportime mediatike dhe grupe të të drejtave thonë se ushtarë të shërbimit të detyrueshëm shpesh detyrohen nga eprorët të firmosin kontrata, që më pas i dërgojnë direkt në front.
Rekrutimi nga burgjet: “liri për luftë”
Një tjetër burim i rëndësishëm për trupat janë burgjet dhe qendrat e paraburgimit. Kjo praktikë u bë e njohur në fillim të luftës nga kreu i grupit mercenar “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, dhe më pas u përqafua edhe nga Ministria e Mbrojtjes.
Ligjet në Rusi tashmë lejojnë rekrutimin jo vetëm të të dënuarve, por edhe të personave nën hetim.
Të huajt në shënjestër: shtetësi e shpejtë, por edhe mashtrime
Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i të huajve.
Rusia ka miratuar ligje që u ofrojnë shtetësi të përshpejtuar atyre që firmosin kontratë ushtarake. Ka raportime se në zona ku jetojnë emigrantë, bëhen kontrolle dhe më pas personat vendosen nën presion për të hyrë në ushtri.
Në nëntor, Putin firmosi një dekret ku për disa kategori të huajsh që kërkojnë leje qëndrimi të përhershme, shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm.
Ndërkohë, shtetas nga vende të Azisë Jugore si India, Nepali dhe Bangladeshi janë ankuar se janë mashtruar nga rekrutues që u premtuan punë civile, por më pas përfunduan në front.
Nepali ka kërkuar kthimin e qindra qytetarëve të tij dhe riatdhesimin e trupave të viktimave, ndërsa India ka deklaruar se disa shtetas të saj janë “keqinformuar” dhe janë futur në ushtri kundër vullnetit.
Iraku gjithashtu ka raportuar se mijëra shtetas të tij kanë hyrë në ushtrinë ruse, ndërsa autoritetet në Bagdad kanë goditur disa rrjete rekrutimi dhe trafikimi.
Sipas aktivistëve, të huajt janë më të rrezikuar, pasi nuk flasin rusisht, nuk kanë eksperiencë ushtarake dhe shpesh konsiderohen si “të zëvendësueshëm” në fushëbetejë.
Rekrutimi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë
Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se Kremlini është bërë më “kreativ” në dy vitet e fundit me mënyrat e rekrutimit, por kjo po i kushton shtrenjtë Rusisë, sidomos në një kohë kur ekonomia e saj po ngadalësohet.
Megjithatë, për sa kohë lufta vazhdon dhe humbjet janë të mëdha, kërkesa për trupa të reja pritet të mbetet konstante – dhe Moska duket e vendosur t’i sigurojë ato me çdo mënyrë.