Pse punëtorët e huaj po i kushtojnë shtrenjtë bizneseve shqiptare?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.01.2026, 20:24

Marrja e punëtorëve nga jashtë po kthehet në një proces gjithnjë e më të vështirë dhe të kushtueshëm për bizneset shqiptare. Nga pajisja me vizë dhe aplikimi për leje pune, te transporti dhe akomodimi, kostoja për një punonjës të huaj arrin rreth 850 euro, pa përfshirë humbjet në kohë dhe produktivitet.

Sipërmarrësit raportojnë se procedurat burokratike shpesh e komplikojnë edhe më tej procesin, veçanërisht në rastet kur Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike në vendet e origjinës së punëtorëve. Sipërmarrës në sektorin e manifakturës, shprehen se kompanitë janë të detyruara t’u drejtohen ambasadave në vende të treta.

“Në vendet ku ne aplikojmë për marrjen e punëtorëve, Shqipëria nuk ka ambasadë. Për të sjellë punonjëse nga Filipinet, ne duhet t’i referohemi ambasadës në Romë”, thotë një sipërmarrës.

Përpjekjet e bizneseve për të plotësuar mungesat në tregun e punës shoqërohen edhe me rreziqe të konsiderueshme. Një pjesë e punonjësve të huaj largohen nga Shqipëria vetëm pak javë pas nisjes së punës, duke u drejtuar drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Rreziqe të tjera lidhen me nivelin e produktivitetit, refuzimin e lejeve të punës apo kërkesat për paga më të larta se ato të punonjësve vendas.

Sipas sipërmarrësve, eksperienca me punëtorë nga disa vende ka qenë zhgënjyese. “Po të marrim punëtorë me kombësi nga Bangladeshi, mund të them se ka qenë një dështim total. Të gjithë ata që kanë ardhur janë larguar më pas jashtë vendit”, shprehet njëri prej tyre.

Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë se numri i shtetasve të huaj që pajisen me leje pune në Shqipëri është në rritje nga viti në vit. Ata janë të përqendruar kryesisht në sektorët e industrisë përpunuese, ndërtimit, bujqësisë, peshkimit, tregtisë, si dhe informacionit dhe komunikimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit