Sistemi i fiskalizimit vijon të përballet me bllokime të përsëritura prej javësh, duke shkaktuar vështirësi serioze për bizneset dhe profesionistët e lirë në mbarë vendin. Mosfunksionimi i sistemit jo vetëm që pengon aktivitetin e përditshëm ekonomik, por rrezikon edhe ekspozimin e subjekteve ndaj penaliteteve tatimore.
Burime bëjnë me dije se shkak kryesor i situatës është mungesa e mirëmbajtjes së sistemit, si pasojë e një tenderi që duhej të ishte realizuar që në vitin 2025. Tenderi për mirëmbajtjen, me vlerë 7.8 milionë euro, u shpall në korrik 2025, por u pezullua nga Komisioni i Prokurimit Publik pas ankimimeve të operatorëve ekonomikë për paqartësi në dokumentacion dhe pretendime për avantazh konkurrues.
Edhe pse në dhjetor të vitit të kaluar pezullimi u hoq, duke i hapur rrugë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për të vijuar procedurat, tenderi ka mbetur sërish pa u finalizuar. Si pasojë, sistemi i fiskalizimit vijon të funksionojë pa mirëmbajtje teknike.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka ngritur zyrtarisht shqetësimin, përmes një shkrese drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, AKSHI-t dhe Ministrisë së Financave. Megjithatë, sipas tyre, tatimet po e neglizhojnë situatën, duke u sugjeruar bizneseve të rikthehen në përdorimin e faturave të vjetra, praktikë që bie ndesh me gjithë investimin dhe punën e bërë deri më tani në kuadër të fiskalizimit.
Një tjetër problem serioz lidhet me sigurinë e të dhënave. Sistemi ka si detyrim kryerjen e testimit mujor për rikuperimin e të dhënave, nga data 1 deri më 10 të çdo muaji, duke përdorur kopjen rezervë të muajit pararendës. Mosfunksionimi aktual ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ruajtjes së të dhënave, duke i vënë ato në rrezik.
Sistemi i fiskalizimit është i hostuar në Datacenter-in Qeveritar pranë AKSHI-t dhe u shërben rreth 125 mijë tatimpaguesve, si dhe vetë administratës tatimore. Disponueshmëria e tij konsiderohet jetike, pasi shërbimi nuk mund të ndërpritet për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për përditësime apo modifikime.
Në këto kushte, bizneset raportojnë një situatë kolapsi të plotë, duke u detyruar të rikthehen tek faturimi manual, ndërsa pasiguria për të dhënat dhe penalitetet tatimore vijon të mbetet e lartë.