Shtatë tifozë të PAOK-ut të Selanikut humbën jetën ditën e djeshme në një aksident tragjik në Rumani, teksa ishin nisur për të ndjekur nga afër ndeshjen e Ligës së Europës kundër Lyonit, e cila do të luhet nesër. Një udhëtim i nisur me pasion për futbollin përfundoi në një tragjedi që ka tronditur mbarë opinionin sportiv.
Në dyqanin zyrtar të klubit në Selanik, PAOK-u ka zgjedhur një mënyrë simbolike dhe prekëse për të nderuar kujtimin e viktimave: shtatë fanela të ekspozuara me emrat e tyre dhe me numrin 12 mbi shpinë. Një homazh domethënës, pasi tifozët konsiderohen “lojtari i 12-të” i çdo skuadre.
Aksidenti ndodhi kur dhjetë tifozë të PAOK-ut udhëtonin me një minibus në territorin rumun, i cili u përplas ballë për ballë me një kamion. Gjashtë persona humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Mes viktimave ishte edhe shqiptari Vasil Pilo. Tre tifozë të tjerë mbetën të plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën, mes tyre edhe shqiptari Genci Sadiku.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Greqi, ku një tifoz i PAOK-ut nga Larisa humbi jetën pasi mësoi për aksidentin tragjik. Ai vuante nga probleme kardiake dhe nuk i mbijetoi tronditjes emocionale.
Sipas policisë rumune, shkaku paraprak i aksidentit lidhet me një parakalim të gabuar nga ana e drejtuesit të minibusit. Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të viktimave.