Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Kubës, duke deklaruar se ky vend “do të dështojë shumë shpejt”, për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe mungesës së furnizimeve me naftë.
Sipas Trump, Kuba po përballet me vështirësi të mëdha pasi nuk po merr më naftën dhe mbështetjen që i vinte nga Venezuela, e cila prej vitesh ishte një nga furnizuesit kryesorë të ishullit.
“Kuba do të dështojë shumë shpejt. Kuba është shumë pranë dështimit”, u shpreh Trump gjatë një deklarate për mediat.
Ai ka rritur së fundmi retorikën ndaj Kubës, duke lënë të kuptohet se pas operacionit ku u kap lideri i Venezuelës Nicolás Maduro, administrata amerikane mund të ndërmarrë hapa edhe ndaj Havanës.
Trump ka deklaruar se pas kapjes së Maduros, "asnjë pikë nafte dhe asnjë qindarkë nga Venezuela nuk do të shkojë më drejt Kubës", duke e cilësuar këtë si një goditje dërrmuese për ekonominë e vendit.
Nga ana tjetër, presidenti kuban Miguel Díaz-Canel ka reaguar duke deklaruar se SHBA nuk ka autoritet moral të imponojë marrëveshje apo kushte mbi Kubën.
Ndërkohë, raportohet se administrata amerikane synon të rrisë presionin ekonomik ndaj Kubës, me qëllim ndryshime politike në vend, në një kohë kur ishulli po përjeton mungesa të rënda karburanti dhe vështirësi të forta ekonomike.