Betoni djeg talentet, Shqipëria e parafundit në Europë për fushat e futbollit, 5 herë më keq se mesataraja

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.01.2026, 15:30

Ndërsa euforia e Euro 2024 ende nuk është shuar dhe fanellat kuqezi vazhdojnë të shiten masivisht, Shqipëria jeton me shpresën për t’u rreshtuar mes më të mirëve të Botës, duke synuar kualifikimin përmes play-off-it të marsit përballë Polonisë. Por pas këtij optimizmi kolektiv fshihet një realitet i hidhur, që kërcënon vetë themelet e së ardhmes së futbollit shqiptar.

Një raport studimor konfidencial i UEFA-s, tashmë i bërë publik, hedh dritë mbi një të vërtetë tronditëse: pas fasadës së stadiumeve moderne dhe eventeve madhore, Shqipëria vuan nga një varfëri ekstreme infrastrukturore. Vendi ynë renditet i 53-ti nga 55 anëtare të UEFA-s për numrin e fushave të futbollit në raport me popullsinë – një statistikë që flet më shumë se çdo deklaratë politike.

Shifra alarmante është kjo: një fushë standarde futbolli (11×11) në Shqipëri duhet të përballojë mesatarisht 18,981 banorë. Për krahasim, mesatarja europiane është rreth 3,800 banorë për fushë. Pra, Shqipëria është gati pesë herë më keq se standardi i UEFA-s. Edhe vendet me profil të ngjashëm ekonomik dhe demografik kanë rreth 5,400 banorë për fushë, sërish 3.5 herë më mirë se ne.

Në vendet nordike si Islanda apo Norvegjia, raporti zbret nën 1,500 banorë për fushë. Përkthimi praktik i këtyre shifrave është brutal: statistikisht, një fëmijë shqiptar ka mbi 500% më pak shanse për të luajtur futboll në një fushë standarde sesa një bashkëmoshatar i tij në Europën Qendrore.

Kjo mungesë aksesi po prodhon një efekt zinxhir. Futbolli, dikur sporti i popullit, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në sport të privilegjuarve, atyre që mund të paguajnë akademi private ose të udhëtojnë kilometra larg qendrave urbane. Talenti nuk mungon, por terreni ku ai duhet të rritet po zhduket.

Edhe “projekti i 100 fushave”, i promovuar me zë të lartë nga institucionet e futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, ka mbetur shpesh peng i betonit dhe interesave lokale. Bashkitë e mëdha, si Tirana apo Durrësi, ose nuk munden, ose nuk duan të gjejnë hapësira të lira brenda zonave urbane. Për to, një parcelë toke ka më shumë vlerë si shesh ndërtimi për kulla që sjell taksa ndikimi në infrastrukturë, sesa si fushë futbolli që kërkon mirëmbajtje dhe nuk prodhon fitim të menjëhershëm.

Si pasojë, fushat e reja po shtyhen drejt periferive ekstreme: zona rurale, ish-këneta, apo fshatra larg jetës urbane. Ndërkohë që futbolli modern është një industri miliardash, Shqipëria ka dështuar të ndërtojë “fabrikat” e saj bazë – fushat ku prodhohet talenti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit