Kapiteneria e Portit të Vlorës ka vendosur të ndalojë për 24 orë pajisjen me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Në një njoftim zyrtar, Kapiteneria bën me dije se gjatë ditës së sotme dhe të nesërme parashikohet mot i paqëndrueshëm brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës. Sipas parashikimeve meteorologjike, era do të fryjë nga drejtimi jug–juglindje me shpejtësi deri në 25 m/s, ndërsa dallgët pritet të arrijnë lartësinë deri në 2.5 metra.
Ndërkohë, për anijet e transportit ndërkombëtar nuk janë vendosur kufizime dhe aktiviteti i tyre lundrues do të vijojë normalisht.