Besmir Beja është emëruar drejtor i ri i Doganave, pas një eksperience të mëparshme si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, detyrë që e mbante që prej gushtit 2024. Ndërkohë, Gent Gazheli nuk është më në krye të Doganave shqiptare dhe është emëruar zëvendës-ministër i Mjedisit, duke mbyllur kështu një mandat që e mbante prej 1 tetorit 2020.
Largimi nga Doganat vjen në një moment kur emri i tij përmendet gjithnjë e më shpesh në lidhje me hetime të mundshme nga SPAK.
Gazheli drejtoi Doganat që prej vitit 2020, periudhë e shoqëruar me një sërë skandalesh të rënda, përfshirë kontrabandë cigaresh, shmangie masive të detyrimeve doganore, ryshfete në pikat kufitare dhe dhjetëra punonjës të arrestuar ose nën hetim. Dëmi ekonomik i disa prej këtyre çështjeve llogaritet në dhjetëra miliona euro, ndërsa borxhi doganor i vendit ka arritur në mbi 48 miliardë lekë.
JOQ Albania ka denoncuar prej vitesh Gazhelin për nepotizëm, punësime familjare në shkelje të ligjit, korrupsion të dyshuar dhe pasurim të pashpjegueshëm, si dhe për bllokimin e dosjeve të rëndësishme, përfshirë atë të “Bankers Petroleum”.