“Fat i keq”, kushëriri i shqiptarit që humbi jetën në Rumani : Babai i vdiq herët, s’erdhi kurrë në Shqipëri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.01.2026, 12:47

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Rumaninë dhe botën e futbollit, ku një grup prej shtatë tifozësh ultras të PAOK-ut humbën jetën në një aksident fatal rrugor, teksa ishin nisur drejt Francës për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës në një ndeshje të Europa League. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Timișoarës, në një segment rrugor të njohur ndryshe si “autostrada e vdekjes”.

Mes viktimave ndodhet edhe një shtetas shqiptar, i identifikuar si Vasil Palo, i cili jetonte prej vitesh në Greqi.

Në një prononcim për media, kushëriri i tij, Thomaq Ninka, rrëfeu mes dhimbjes detaje nga jeta e të ndjerit dhe mënyrën se si familja u njoh me lajmin tragjik.

“Lajmin e morëm nga televizori. Djali kishte lindur në Greqi. Ishin të rinj që kishin udhëtuar për të ndjekur një ndeshje futbolli. Sipas asaj që dimë, fugoni me të cilin udhëtonin është përplasur me një kamion dhe aty ka ndodhur gjithçka”, u shpreh ai.

Sipas Ninkës, Vasili kishte humbur babain rreth 10 vite më parë, në moshën 13–14 vjeçare, dhe që prej asaj kohe kishte jetuar me nënën dhe motrën e tij në Greqi. Pas ndarjes nga jeta të të atit dhe rimartesës së nënës, lidhjet me familjarët në Shqipëri ishin zbehur.

“Nuk kemi pasur shumë kontakte me ta. Nuk kanë ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Të gjithë janë nga Korça, si nëna ashtu edhe babai. Kanë emigruar si shumë shqiptarë të tjerë dhe fëmijët kanë lindur e janë rritur atje”, tha ai.

Ngjarja ka lënë pas dhimbje të thellë dhe trishtim, jo vetëm te familjarët, por edhe te komuniteti i tifozëve, duke u kthyer në një fatkeqësi të rëndë që ndërpreu në mënyrë tragjike jetën e disa të rinjve, të bashkuar nga pasioni për futbollin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit