Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi të martën pasdite në rajonin e Timishoarës, Rumani, duke shkaktuar vdekjen e 7 tifozëve të klubit grek PAOK dhe plagosjen e rëndë të 3 të tjerëve. Tifozët po udhëtonin për të ndjekur një ndeshje të ekipit të tyre jashtë vendit, kur mjeti i tyre u përplas në mënyrë tragjike.
Sipas mediave greke, lajmi i trishtë pati pasoja edhe për komunitetin e tifozëve në Greqi. Një 55-vjeçar nga Larisa, mik i njërit prej viktimave, pësoi arrest kardiak sapo mësoi për humbjen. Ai ishte një tifoz i zjarrtë i PAOK-ut dhe kishte planifikuar të kryente një ndërhyrje në zemër ditët në vijim, për shkak të problemeve shëndetësore që kishte pasur prej kohësh.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e tifozëve dhe autoritetet lokale në Rumani dhe Greqi po ndjekin nga afër situatën, duke ofruar mbështetje për të plagosurit dhe familjet e viktimave.