Janë publikuar pamjet e aksidentit të rëndë rrugor që ndodhi të martën në Rumani, ku një furgon që transportonte tifozë të klubit grek PAOK u përplas me një kamion në autostradën pranë qytetit Lugoj.
Si pasojë e përplasjes fatale, humbën jetën shoferi dhe gjashtë pasagjerë, ndërsa disa të tjerë u dërguan me urgjencë në spital.
Mes viktimave ishte edhe shtetasi shqiptar Vasil Pilo, i cili së bashku me tifozë të tjerë të PAOK-ut ishin nisur nga Greqia drejt Francës, për të ndjekur ndeshjen e Europa League kundër Lyonit.
Mes tre të plagosurve ndodhet edhe një tjetër shtetas shqiptar, Genci Sadiku, i cili po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Viktimat ishin të rinj, të moshave 25–27 vjeç, ndërsa sipas mediave greke, disa prej tyre vinin nga rajonet e Imathias dhe Pierias.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Greqi dhe veçanërisht në komunitetin e tifozëve të PAOK-ut. Në Selanik, tifozë dhe qytetarë kanë organizuar homazhe në stadiumin e klubit, ku po vendosen lule dhe mesazhe përkujtimore në nderim të viktimave. Ndërkohë, autoritetet rumune vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti tragjik.