Një komplot i sofistikuar ndërkombëtar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës është goditur nga autoritetet britanike, duke çuar në dënimin e anëtarëve të dy grupeve të krimit të organizuar. Banda drejtohej nga persona me bazë në SHBA dhe Meksikë, të cilët organizonin transportin e kokainës së pastër përmes fluturimeve nga Cancuni drejt Aeroportit të Mançesterit, duke përdorur korrierë amerikanë të udhëzuar përmes mesazheve të koduara.
Sipas mediave të huaja, shqiptarët Elton Hallaci 32 vjeç dhe Artur Iseberi 27 vjeç ishin pjesë e njërit prej grupeve kriminale, të ngarkuar me marrjen e valixheve me drogë, ndërsa Dale Hosker dhe Dale Creen i përkisnin një grupi të dytë që merrej me shpërndarjen e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar. Më 11 maj 2024, tetë valixhe me drogë mbërritën në Mançester nga Kankuni dhe Barbadosi, ndërsa një sasi prej 100 kg kokainë u tërhoq atë ditë nga grupi shqiptar.
Hetimet e Agjencisë Kombëtare të Krimit NCA zbuluan se më 31 maj u kontrabanduan edhe 300 kg kokainë me vlerë rreth 24 milionë paund, të fshehura në 12 valixhe. Të katërt u arrestuan më 17 qershor 2025, ndërsa provat kundër tyre u cilësuan dërrmuese, përfshirë shënime të detajuara të importeve të drogës dhe sende luksoze të sekuestruara gjatë kontrolleve, duke i dhënë goditje një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës të zbuluara së fundmi në Britani.