Në shërbimin e pediatrisë pranë QSUT-së, prindërit dhe fëmijët po përballen me kushte të papranueshme pritjeje. Për shkak të mungesës së stolave dhe hapësirave të mjaftueshme, dhjetëra prindër detyrohen të presin në këmbë, duke mbajtur fëmijët në krahë.
Situata është rënduar edhe më shumë për shkak të rritjes së rasteve me viroza sezonale, që ka shtuar ndjeshëm fluksin e vizitave. Në ambientet e pritjes, mungesa e kushteve minimale e bën edhe më të vështirë përballimin e orëve të gjata të pritjes, veçanërisht për fëmijët e vegjël apo me temperaturë.
Një foto e siguruar nga VNA tregon qartë prindër të lodhur, me fëmijë në krahë, të detyruar të qëndrojnë në këmbë për shkak të mungesës së ulëseve.

Prindërit shprehen të indinjuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke theksuar se një shërbim kaq i ndjeshëm si pediatria duhet të ofrojë kushte minimale dinjiteti për fëmijët dhe familjarët e tyre.
Rritja e virozave po nxjerr në pah jo vetëm mbingarkesën e sistemit shëndetësor, por edhe mungesën e infrastrukturës bazë në një nga shërbimet më të rëndësishme të vendit.