1.9 Milionë Euro për Hidrovorin e Vlorës: Bruna Mersini ia jep tenderin “nipit të oligarkëve”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.01.2026, 22:13

Bashkia e Vlorës, nën drejtimin e Bruna Mersinit, ka finalizuar një procedurë prokurimi që ngre dyshime të forta për paracaktim dhe goditje të konkurrencës së lirë. Objekti i këtij tenderi, i cili mban numrin e referencës REF-65227-10-15-2025, është rikonstruksioni dhe furnizimi me pajisje për Hidrovorin e Qytetit të Vlorës, një projekt ky me rëndësi jetike për menaxhimin e ujërave në qytet. Megjithëse gara ishte e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, rezultati përfundimtar tregon një skemë të mirëfilltë ku paratë publike janë kanalizuar drejt një fituesi të paracaktuar.

Nga hulumtimi i dokumentacionit të tenderit, rezulton se fitues ka dalë bashkimi i operatorëve "VIBTIS" dhe "ALBA KONSTRUKSION". Kompania e parë, "Vibtis", zotërohet nga nipi i vëllezërve Idajet dhe Sadik Ismailaj, emra të njohur në botën e biznesit që shpesh etiketohen si pjesë e rrethit të oligarkëve që përfitojnë kontrata të majme nga shteti. Ndërsa kompania tjetër, "Alba Konstruksion", është në pronësi të Xhavit Ismaili, duke plotësuar kështu dyshen që do të menaxhojë fondin e madh prej rreth 1.9 milionë eurosh me TVSH.

Ajo që e bën këtë procedurë skandaloze është analiza e shifrave dhe mënyra se si janë trajtuar pjesëmarrësit e tjerë në garë. Fondi limit i përcaktuar nga Bashkia Vlorë ishte 154,687,373.00 lekë të reja pa TVSH. Nga llogaritjet rezulton se vlera fituese e shpallur kap shifrën tronditëse prej 99.8% të fondit limit, duke mos bërë pothuajse asnjë ulje reale të çmimit dhe duke mos i kursyer buxhetit të shtetit asnjë vlerë domethënëse. Kjo diferencë qesharake mes fondit limit dhe ofertës fituese është një nga treguesit më të qartë të mungesës së garës.

Për më tepër, të dhënat e bëra publike tregojnë se në këtë tender kanë marrë pjesë katër kompani, ku dy prej tyre kanë paraqitur oferta ekonomike dukshëm më të ulëta sesa bashkimi i operatorëve fitues. Megjithatë, Bruna Mersini ka vendosur t’i skualifikojë këto oferta më të lira, duke lënë në lojë vetëm ofertën që përkonte pothuajse fiks me tavanin buxhetor. Ky veprim dëshmon se kriteri kryesor i këtij tenderi nuk ka qenë kursimi i taksave të qytetarëve, por favorizimi i kompanive me lidhje të forta nepotike dhe klienteliste, duke e kthyer rikonstruksionin e hidrovorit në një tjetër aferë të dyshimtë në qytetin bregdetar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit