Kaos digjital: e-Albania bllokon bizneset, “SelfCare” jashtë funksioni prej javësh

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.01.2026, 21:45

Prej më shumë se një jave, qindra biznese në Shqipëri po përballen me bllokim të plotë të aktivitetit për shkak të mosfunksionimit të sistemit SelfCare, platformë kyçe që operon përmes e-Albania dhe përdoret për fiskalizimin, faturimin dhe procedura të tjera thelbësore ligjore.

Edhe pse ky sistem ka shfaqur probleme edhe më parë, zakonisht ka qenë i aksesueshëm pjesërisht. Prej disa ditësh, sipas bizneseve, ai është plotësisht jo funksional, duke u shfaqur vetëm në formë statike dhe pa mundësuar kryerjen e asnjë veprimi. Ankesat e shumta të sipërmarrësve dhe profesionistëve duket se kanë rënë në vesh të shurdhër.

Edhe pse mediat kanë kërkuar vazhdimisht shpjegime nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që menaxhon platformën, përgjigjja zyrtare ka qenë e njëjtë: “Sistemi është në rregull”. Në terren, realiteti për bizneset është krejt i kundërt.

Burime bëjnë me dije se situata lidhet me probleme në tenderin e mirëmbajtjes së sistemit, ndërsa brenda AKSHI-t raportohet për një valë dorëheqjesh të punonjësve që ndjekin kontratat. Paralelisht, SPAK ka nisur zyrtarisht hetime për tenderët e dhënë nga ky institucion ndër vite, çka ka shtuar më tej pasigurinë dhe kaosin institucional.

Bizneset kanë vërshuar me email-e zyrtare drejt institucioneve, duke paralajmëruar se pamundësia për të përdorur SelfCare i pengon të kryejnë fiskalizimin e faturave, deklaratat doganore dhe detyrime të tjera ligjore, në kundërshtim me Ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

Në një nga ankesat thuhet se institucionet duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar përmbushjen e detyrimeve ligjore të bizneseve, pasi vonesat rrezikojnë gjoba dhe pasoja financiare për subjekte që realisht janë të bllokuara nga vetë sistemi shtetëror.

Ironikisht, kjo situatë ndodh në një kohë kur investimet për qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm. Vetëm në vitin 2025, fondet për e-qeverisjen u trefishuan, duke arritur në mbi 20 miliardë lekë, ndërsa në katër vite shuma totale kap afro 500 milionë euro. Në të njëjtën dekadë, administrata publike është zgjeruar me rreth 20 mijë punonjës.

Megjithatë, pavarësisht shifrave rekord dhe propagandës për digjitalizim, bizneset mbeten pa zgjidhje. Shqipëria rrezikon të kthehet në një rast unik, ku sipërmarrësit i luten qeverisë t’i lejojë të punojnë, vetëm që të mund të paguajnë taksat dhe të respektojnë ligjin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit