Një qytetare nga Elbasani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të pazakontë vjedhjeje.
Sipas denoncimit, një burrë në moshë shihet në pamjet e kamerave të sigurisë teksa qëndron për disa çaste përpara dyqanit të saj, duke vëzhguar ambientin me qetësi. Më pas, ai afrohet drejt kafazit ku mbahej një zog dhe, brenda pak sekondash, arrin ta marrë zogun dhe të largohet qetësisht sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
E gjithë ngjarja zhvillohet pa zhurmë, pa nxitim dhe me një “qetësi olimpike”, sikur bëhej fjalë për një veprim krejt normal. Zogu merret, kafazi mbetet bosh dhe personi largohet nga dyqani.
Qytetarja shprehet e shqetësuar jo vetëm për humbjen e zogut, por edhe nga frika se i njëjti person mund të rikthehet sërish dhe të vjedhë produkte në dyqan. Ajo thotë se nuk e njeh autorin dhe nuk e ka parë më parë në zonë, ndërsa biznesi ndodhet në lagjen Haxhias, pranë kryqëzimit të banesave në Elbasan.
“Kam hall se mos vjen prapë dhe më vjedh ndonjë gjë tjetër,” shprehet ajo.
JOQ Albania publikon këtë denoncim për të sensibilizuar qytetarët dhe për të ndihmuar në identifikimin e personit në fjalë. Nëse dikush e njeh ose ka informacion mbi rastin, mund të kontaktojë redaksinë.
Mesa duket, në Elbasan nuk vidhen vetëm biçikleta apo sende me vlerë… tashmë edhe zogjtë në kafaz duhen ruajtur me sy hapur.