Një punonjës i kompanisë shtetërore të sigurisë “Illyrian Guard” i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që ai e cilëson shqetësuese dhe të papranueshme, lidhur me kushtet e punës dhe trajtimin e punonjësve në terren.
Sipas denoncimit të mbërritur ditën e sotme, punonjësit janë vendosur prej më shumë se një jave në objekte të reja, me orare 12-orëshe shërbimi çdo ditë, pa marrë asnjë sqarim zyrtar se kur do të kenë pushime apo kur do të shtohet personel i ri për të mbuluar ngarkesën.
Denoncuesi shprehet se çdo ditë u vjen i njëjti mesazh: “Dhe nesër shërbimi si sot në çdo objekt”, pa asnjë informacion shtesë, pa planifikim dhe pa respektim të jetës familjare. Ai thekson se shumë prej tyre kanë fëmijë dhe detyrime familjare, ndërsa ndihen të detyruar të mbulojnë objekte të reja pa asnjë mbështetje.
Në mesazhin e tij, punonjësi ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e shpërblimeve, pajisjeve dhe uniformave të punës, duke theksuar se gjithçka funksionon vetëm mbi bazën e urdhrave, pa transparencë dhe pa shpjegime. Ai kërkon që denoncimi të publikohet në mënyrë anonime, duke pretenduar se punonjësit që ankohen përballen me presione dhe pasoja në vendin e punës.
Ky denoncim vjen në vijim të një sërë ankesash të mëparshme të publikuara nga JOQ Albania, ku punonjës të tjerë të “Illyrian Guard” kanë ngritur shqetësime për mungesë shpërblimesh, mosdhënie uniformash prej vitesh, presione për largim nga puna dhe trajtim të pabarabartë mes administratës dhe punonjësve të shërbimit.
Në denoncime të mëparshme, punonjës kanë pretenduar se uniformat janë detyruar t’i blejnë vetë, se nuk u njihet vjetërsia në punë dhe se çdo ankesë shoqërohet me kërcënime apo heshtje nga drejtuesit. Sipas tyre, kjo situatë është kthyer në një praktikë të vazhdueshme dhe jo një rast i izoluar.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim për interes publik, duke theksuar se pretendimet e ngritura janë të pakonfirmuara dhe mbeten përgjegjësi e institucioneve përkatëse për t’u verifikuar. Punonjësit kërkojnë reagim dhe ndërhyrje nga Inspektorati i Punës dhe autoritetet shtetërore, për të garantuar respektimin e të drejtave themelore të punës.
Nëse edhe punonjës të tjerë kanë përjetuar situata të ngjashme, redaksia jonë mbetet e hapur për denoncime, gjithmonë duke garantuar anonimitetin e burimeve.