Dy të rinj, 20 dhe 24 vjeç, janë arrestuar dhe janë lënë në paraburgim në lidhje me vrasjen e një shoferi taksie në qytetin Geel të Belgjikës. Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria e Antverpit, e cila bën me dije se masa e sigurisë është vendosur nga gjyqtari hetues, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.
Viktima është shtetasi shqiptar Marko Beka, 45 vjeç, banues në Geel dhe me profesion taksist. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, pranë një parku pas kishës në fshatin Larum. Në momentin e ngjarjes, Beka ndodhej në bisedë me disa persona që dyshohet se ishin pasagjerë.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, 45-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Sipas autoriteteve belge, pista kryesore e hetimit lidhet me një debat që ka dalë jashtë kontrollit. Megjithatë, Prokuroria thekson se viktima “nuk ishte zgjedhur rastësisht”, çka lë të hapur mundësinë që ngjarja të mos ketë qenë thjesht spontane. Motivi i saktë i krimit mbetet ende i paqartë dhe nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo për një akt të paramenduar.
Zona ku ndodhi vrasja u rrethua për disa orë, ndërsa në vendngjarje mbërritën hetuesit, laboratori kriminalistik dhe mjeku ligjor. Prokuroria e Antverpit ka deklaruar se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.