Një shtetas shqiptar është konfirmuar mes viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi të martën në Rumani, ku u përfshi një minibus me tifozë të klubit grek PAOK. Informacioni është bërë i ditur nga autoritetet përkatëse dhe burime diplomatike.
I riu shqiptar që ka ndërruar jetë është identifikuar si shtetasi Vasil Pilo.
Sipas të dhënave zyrtare, nga aksidenti humbën jetën shtatë persona, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Timisoarës, rreth 100 kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Minibusi ishte nisur nga Greqia dhe kishte si destinacion Francën, ku tifozët planifikonin të ndiqnin përballjen e së enjtes në Ligën e Europës mes PAOK-ut dhe Lyonit.
Mediat greke raportojnë se disa nga viktimat ishin nga zona e Aleksandrisë në rajonin e Imathias, ndërsa një tjetër nga rajoni fqinj i Pierias. Të ndjerët ishin të moshave të reja, nga 25 deri në 27 vjeç.
Ndërkohë, në Selanik, tifozët e PAOK-ut kanë nisur homazhe në stadiumin e klubit, ku po vendosen lule dhe mesazhe përkujtimore në nderim të viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike.