Mamdani kopjon Erion Veliajn: shfaqet me lopatë në dorë duke pastruar borën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.01.2026, 19:05

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, është shfaqur në disa video duke pastruar borën për të ndihmuar një qytetar, pasi makina e tij kishte mbetur e bllokuar gjatë stuhisë së fundit në qytet. Pamjet tregojnë Mamdanin të shoqëruar nga sigurimi, i cili ndalon, merr një lopatë dhe pastron borën, ndërsa kamerat kapin çdo moment “spontan”.

Videoja u shpërnda menjëherë në rrjetet sociale, e shoqëruar me një mesazh po aq të kuruar sa edhe skena: “Nuk ka punë të vogla dhe as detyra të mëdha”, shkroi Mamdani, duke u siguruar që gjesti të mos mbetej pa audiencë. Reagimet nuk munguan, nga lavdërimet e zakonshme deri te komentet skeptike që vunë në dyshim sinqeritetin e gjithë shfaqjes.

Por për publikun shqiptar, kjo skenë është déjà vu. Shumë e njohur. Madje tepër e njohur.

Sepse përpara Mamdanit, këtë film e kemi parë për vite me radhë në Tiranë. Me një protagonist tjetër: Erion Veliaj. Lopata në dorë, pema në krah, pastrimi i qytetit, mbjelljet simbolike, gjithmonë me kamerë gati dhe postim të përpunuar për rrjetet sociale. Gjeste “afër popullit”, por të projektuara më shumë për propagandë sesa për zgjidhje reale.

Veliaj dikur shfaqej duke mbjellë pemë në Liqenin e Farkës, duke folur për “1 milion pemë”, “fytyrën europiane të Tiranës” dhe angazhimin qytetar, ndërsa kamera regjistronte çdo fjalë, çdo buzëqeshje dhe çdo lopatë të futur në tokë. Mesazhi ishte i njëjtë: kryebashkiaku që punon, kryebashkiaku që djersit, kryebashkiaku që “është një nga ne”.

Sot, i njëjti skenar, thjesht në një tjetër kontinent. Mamdani në Nju Jork, Veliaj në Tiranë. Bora në vend të pemëve, por narrativa e pandryshuar: politika si shfaqje, kamera si dëshmitar dhe rrjetet sociale si qëllim final.

Ironia është se këto gjeste shiten si autenticitet, ndërkohë që duken gjithnjë e më të skriptuara. Kur një politikan “rastësisht” ka kamera gati në momentin e bamirësisë, publiku fillon të dyshojë jo për veprimin, por për motivin.

Publiku shqiptar i njeh mirë këto pamje. I ka parë, i ka dëgjuar dhe i ka jetuar. Prandaj, për shumëkënd, Mamdani nuk po shpik asgjë të re, thjesht po kopjon një model të vjetër propagande, të testuar më parë në Tiranë.

Lopata ndryshon, propaganda mbetet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit