Interpol Tirana ka ekstraduar nga Zvicra një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit operacional mes Interpol Tirana dhe Interpol Bern.
Personi i ekstraduar është 37-vjeçari Jozi Kraja, lindur në Shkodër, i cili akuzohet nga GJKKO si pjesë e një grupi kriminal të organizuar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendim të datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dyshohet se Jozi Kraja, gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për vrasjen e dy vëllezërve, Durim dhe Valter Bami, ndërsa për këtë veprimtari është paguar nga ish-deputeti Arben Ndoka.
Jozi Kraja, alias Jozi Ndoj, është vëllai i Gjin Ndoji alias Boriçi, i cili u vra më 8 gusht 2020 në Vaun e Dejës nga grupi i Bajrajve, për llogari të Ervis Martinajt.
Nga zbardhja e bisedave në aplikacionin “SKY”, të administruara nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, rezulton se vrasja e Gjin Ndojit lidhet me një borxh prej 100 mijë eurosh, që Ervis Martinaj kishte ndaj tij.