Një incident i papritur ka shënuar nisjen e vizitës shtetërore të Presidentit të Nigerisë, Bola Tinubu, në Turqi. Gjatë ceremonisë zyrtare të pritjes në Pallatin Presidencial në Ankara, kreu i shtetit nigerian humbi ekuilibrin dhe u rrëzua teksa po ecte krah homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas pamjeve të publikuara, Tinubu duket se humbi një hap pak çaste pas zbritjes nga limuzina presidenciale. Pavarësisht momentit të vështirë, ndërhyrja e menjëhershme e stafit dhe zyrtarëve të sigurisë bëri që ai të ngrihej pa pasoja dhe të rimerrte ekuilibrin.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare nga banda ushtarake dhe orientimit të shkurtër nga Erdogan për pozicionimin korrekt, axhenda vijoi pa vonesa të mëdha, duke dëshmuar se incidenti nuk pati ndikim në shëndetin e presidentit.
Presidenti Tinubu u nis nga Abuja të hënën me një agjendë të ngjeshur diplomatike. Zëdhënësi i tij, Bayo Onanuga, sqaroi se ky takim synon një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.
Fokusimi kryesor i bisedimeve do të jetë forcimi i bashkëpunimit teknik në siguri dhe aviacion, zgjerimi i tregtisë dhe investimeve në ekonomi, si dhe nxitja e inovacionit e bashkëpunimit në arsim për zhvillimin social të të dy vendeve.