Duket se të fortët me makina luksoze nuk pyesin as për rregulla qarkullimi dhe as se bëhen pengesë për qytetarët e tjerë me parkimet që bëjnë vend e pa vend.
Pak minuta më parë raportuam se si një shofer me “Range Rover” kishte bllokuar plotësisht qarkullimin në Durrës, duke bërë që të gjitha makinat të kalonin në një korsi, pasi korsinë tjetër e kishte zënë vetë pa u shqetësuar nga askush.
Por duket se ky nuk është rasti i vetëm! Një tjetër shofer, këtë herë me sa duket polic, me një automjet luksoz “Audi Q7”, ka parkuar fiks para rampës që përdoret nga personat që lëvizin me karroca.
Një djalë i ri që ka ardhur për pushime në Durrës, tregon me pamje se makina e “policit” i ka zënë rrugën e tij, dhe tashmë ai është i detyruar të kthehet mbrapsht në fund të rrugës, për të marrë krahun tjetër.
“Në Durrës afër “Blu Starit” po nuk e di fiks si quhet zona. Unë jetoj jashtë dhe thjeshtë kam ardhur me pushime,” shkruan denoncuesi.
Këto raste nuk publikohen thjeshtë si ngjarje që ndodhin, por si thirrje për më shumë përgjegjësi dhe ndërgjegjësim ndaj këmbësorëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës. Në rrugë nuk janë vetëm shoferët!