Aksident fatal në Rumani, 7 tifozë të PAOK-ut humbin jetën

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.01.2026, 15:57

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në Qarkun Timiș të Rumanisë i ka marrë jetën shtatë personave, ndërsa tre të tjerë janë plagosur rëndë dhe ndodhen në spital në gjendje kritike. Sipas informacioneve paraprake, viktimat ishin tifozë të PAOK-ut, të cilët po udhëtonin për të ndjekur ndeshjen e Ligës së Europës kundër Lionit.

Ngjarja tragjike ndodhi këtë të martë në autostradën E70, pranë qytetit Lugoj, kur një kamion autocisternë u përplas ballë për ballë me një furgon pasagjerësh me kapacitet 8+1 persona, raportoi Radio România Timișoara.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën një automjet shpëtimi, një zjarrfikëse, dy ekipe të emergjencës dhe një mjet i posaçëm për transportin e viktimave të shumta, sipas shërbimit të emergjencës ISU Timiș.

Gjashtë persona humbën jetën në vendin e aksidentit, ndërsa tre të tjerë u transportuan me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Më vonë, bilanci i viktimave u rrit në shtatë.

Sipas hetimeve paraprake, furgoni, gjatë një manovre parakalimi, ka tentuar të rikthehet në korsinë e tij, por është përplasur frontalish me kamionin cisternë që po vinte nga drejtimi i kundërt. Pamjet nga vendngjarja janë tronditëse.

Minibusi ishte nisur nga Greqia me destinacion Francën dhe transportonte tifozë të PAOK-ut, ndërsa klubi grek ka reaguar i tronditur pas marrjes së lajmit tragjik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit