Ushqimet importohen më lirë, por shiten më shtrenjtë, importet rriten 23% në pesë vite

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.01.2026, 15:29

Viti pas viti, Shqipëria po bëhet më e varur nga ushqimet e importuara. Kjo ndodh për shkak të rënies së prodhimit vendas dhe rritjes së kërkesës, sidomos për shkak të turizmit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet ushqimore po rriten si në volum, ashtu edhe në vlerë.

Në 2025, Shqipëria importoi rreth 1.35 milionë tonë ushqime, me rritje 4.3% nga viti i mëparshëm. Vlera e importeve u rrit me 3.9%, duke arritur mbi 162 miliardë lekë. Megjithatë, çmimi mesatar për kilogram ka rënë, duke shkuar rreth 120 lekë/kg në 2025, nga 146 lekë/kg në 2022. Kjo ulje i atribuohet edhe forcimit të lekut ndaj euros, e cila në 2025 ishte rreth 97 lekë për 1 euro.

Pra, Shqipëria po blen më shumë ushqime, por çdo kilogram kushton më pak. Megjithatë, kjo ulje e çmimit nuk është reflektuar tek çmimet në dyqane, ku konsumatorët ende përballen me rritje të çmimeve dhe çmime të larta në raft.

Nga 2020 në 2025, importet u rritën me 23%, nga 1.09 milionë tonë në 1.35 milionë tonë, ndërsa vlera e tyre u rrit nga 110.9 miliardë lekë në 162 miliardë lekë. Kjo tregon se konsumi i brendshëm mbështetet gjithnjë e më shumë tek furnizimi nga jashtë.

Një pjesë e rritjes së importeve vjen nga vendet me kosto më të ulëta, si Turqia, Ballkani dhe Amerika Latine. Rritja e turizmit dhe urbanizimit ka shtuar kërkesën për produkte të paketimit industrial, që janë më të lira se produktet lokale.

Në të njëjtën kohë, prodhimi vendas nuk po rritet me të njëjtin ritëm, pasi kostot e prodhimit janë të larta. Për pasojë, tregtarët dhe përpunuesit preferojnë importet, duke e bërë prodhimin shqiptar më pak konkurrues dhe duke thelluar varësinë nga tregjet e jashtme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit