60 ditë nga ëndrra në Varshavë, kuqezinjtë me probleme para “play off”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.01.2026, 14:38

Numërimi mbrapsht ka nisur. Kanë mbetur fiks 60 ditë deri më 26 mars 2026, dita kur Shqipëria do të zbresë në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës për të luajtur gjysmëfinalen e Play-off-it të Botërorit, një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e futbollit tonë.

Në repartin ofensiv, situata mbetet larg idealeve. Rey Manaj, aktualisht pjesë e Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, po kalon një periudhë me pak gola dhe niveli i kampionatit atje ngre pikëpyetje serioze mbi intensitetin që kërkon një përballje e tillë ndaj Polonisë. I vetmi që po mban gjallë shpresën është Ernest Muçi. Fantazisti shqiptar po shkëlqen me Trabzonsporin, ku ka realizuar 10 gola këtë sezon, duke u shndërruar në burimin kryesor të kreativitetit në sulm.

Mesfusha paraqet një kontrast të fortë: “truri” në infermieri, “muskujt” në fushë. Lajmet më shqetësuese vijnë nga Skocia, ku Nedim Bajrami, arkitekti i lojës sonë, ka kaluar një periudhë dëmtimi dhe vetëm këtë fundjavë u rikthye me Rangers pas problemeve muskulore. Pyetja e madhe mbetet: a do të ketë ai kohë të mjaftueshme për të rikuperuar formën optimale deri në mars?

Ndërkohë, Kristjan Asllani te Torino duket më afër largimit sesa aktivizimit të rregullt në fushë. Në anën tjetër, Ylber Ramadani përfaqëson një siguri absolute: një “mur” i palëkundur në mesfushë, duke luajtur rregullisht 90 minuta me Lecce-n.

Në mbrojtje dhe në portë, Thomas Strakosha po kalon një moment pozitiv te AEK, ku është titullar i padiskutueshëm. Megjithatë, krahët e mbrojtjes mbeten problematikë. Kapiteni Elseid Hysaj ka një sezon thuajse inekzistent te Lazio, ndërsa Mario Mitaj po aktivizohet rregullisht, por në Arabinë Saudite me Al-Ittihad, larg ritmit dhe presionit të futbollit europian.

Në këtë panoramë, Sylvinho ka përpara 60 ditë vendimtare dhe një dhimbje koke të madhe. Më shumë se 80% e formacionit kërkon alternativa, plane rezervë dhe zgjidhje emergjente, dhe e gjitha kjo, për fat të keq, pikërisht në prag të një ndeshjeje që mund të shkruajë historinë e futbollit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit