Nëndrejtori i Kadastrës së Vlorës, Sokol Shehaj, ka deklaruar se është shkarkuar nga detyra për shkak se ka mbështetur punonjësit dhe ka kundërshtuar hapur vendimin për transferimin e institucionit në Tiranë. Ai shprehet se firmosja e peticionit dhe qëndrimi në mbrojtje të stafit janë bërë arsye direkte për largimin e tij, duke e cilësuar vendimin si ndëshkim për zërin kundërshtues ndaj një procesi të imponuar.
Shehaj u prit me duartrokitje dhe mes lotësh nga punonjësit, të cilët e konsiderojnë një drejtues që nuk u tërhoq përballë presionit institucional. Ai ka theksuar se transferimi i Kadastrës së Vlorës po realizohet pa dialog dhe pa transparencë, duke krijuar pasiguri të madhe për punonjësit dhe familjet e tyre, si dhe duke cenuar funksionimin normal të shërbimit për qytetarët e qarkut.
Sipas njoftimeve zyrtare, më datë 31 janar pritet të largohet baza materiale e institucionit, ndërsa 55 punonjës janë parashikuar të transferohen në Tiranë. Ky vendim, sipas Shehajt dhe stafit, është marrë pa konsultim me punonjësit dhe pa një plan të qartë për pasojat ekonomike dhe sociale, duke e kthyer largimin e nëndrejtorit në një simbol të kundërshtimit ndaj këtij procesi.