Tregtarët e Tregut Industrial në Vlorë kanë vijuar edhe sot protestat kundër vendimit të Bashkisë për largimin e tyre nga ambientet ku ushtrojnë aktivitetin. Ata shprehen të revoltuar jo vetëm për ultimatumet e vendosura, por edhe për mungesën e komunikimit të drejtpërdrejtë nga drejtuesit e bashkisë.
Sipas tyre, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, nuk ka pranuar t’i takojë tregtarët, duke deleguar sekretarë për të dhënë sqarime, veprim që protestuesit e cilësojnë si tallje dhe shpërfillje ndaj shqetësimeve të tyre.
Bashkia e Vlorës ka dhënë një ultimatum të paprecedent, duke u kërkuar tregtarëve që brenda vetëm tre ditësh të largohen nga Tregu Industrial. Vendimi, sipas njoftimit zyrtar, lidhet me ndërtimin e një projekti të ri tregu, por është marrë pa asnjë konsultim paraprak me komunitetin e prekur.
Tregtarët theksojnë se nuk u është ofruar asnjë alternativë konkrete për zhvendosje dhe se ky vendim rrezikon drejtpërdrejt jetesën e dhjetëra familjeve që sigurojnë të ardhurat nga ky aktivitet. Ata kërkojnë një takim urgjent me autoritetet lokale dhe një plan të qartë që garanton vazhdimësinë e punës së tyre.
Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, duke nënvizuar se vendime të njëanshme dhe pa dialog mund të sjellin pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.