SHBA dërgon aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në Lindjen e Mesme

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.01.2026, 22:27

Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe disa anije luftarake shoqëruese kanë hyrë në rajonin e Lindjes së Mesme, duke zgjeruar kapacitetet ushtarake të SHBA-së në një moment tensionesh të larta me Iranin.

Sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën për Reuters, USS Abraham Lincoln, së bashku me disa shkatërrues të pajisur me raketa të drejtuara, kanë kaluar në zonën që mbulohet nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.

Presidenti Donald Trump deklaroi pak ditë më parë se SHBA ka një “armadë” që po i afrohet Iranit, por shtoi se shpreson të mos ketë nevojë për përdorimin e saj.

Anijet luftarake janë dislokuar nga rajoni i Azi-Paqësorit, ndërsa tensionet u përshkallëzuan pas shtypjes së protestave në Iran. Trump kishte paralajmëruar më herët për ndërhyrje, nëse autoritetet iraniane do të vazhdonin vrasjet e protestuesve, por më pas tha se situata duket se është qetësuar.

Përveç aeroplanmbajtëses, Pentagoni po zhvendos gjithashtu avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme. Ushtria amerikane ka njoftuar edhe zhvillimin e një stërvitjeje ushtarake në rajon, për të demonstruar aftësinë e saj për dislokim dhe qëndrueshmëri luftarake.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë iranian ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit do të konsiderohej si “luftë totale”.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e hapësirës ajrore, territorit apo ujërave të tyre për veprime armiqësore kundër Iranit, pavarësisht pranisë së bazës ajrore amerikane Al Dhafra në territorin e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit