Nëse dikush kishte ende dyshime se ku përfundon vetëbesimi monumental i Edi Ramës, sot mori përgjigjen zyrtare: përfundon në Knesset, me gjunjë që dridhen dhe zë që kërkon miratim.
Kryeministri i Shqipërisë, i vetëshpallur herë si artist, herë si filozof, herë si “lider global”, u shfaq në Parlamentin e Izraelit në një rol të ri: nxënësi i emocionuar që jep provim para profesor Netanyahut. Dhe jo, kjo nuk është metaforë gazetarësh dashakeqë. Janë fjalët e tij.
“Nëse Mossadi nuk ju ka informuar, po ju informoj unë: po më dridhen gjunjët,” tha Rama, duke e futur shërbimin sekret izraelit në punë… për të monitoruar stabilitetin e gjunjëve të tij.
I njëjti njeri që në Tiranë ulet si pedagog mbi kokën e gazetarëve, i njëjti që i flet popullit me ironi superiori, sot u vetëportretizua si 'student i ndrojtur', që pret notën e profesorit “Bibi”.
Të shohësh këtë metamorfozë është si të shohësh rrugaçin e lagjes që këtu na bën ligjin, por sapo sheh të fortin e qytetit, ulet në bisht dhe fillon t’i lustrojë këpucët me gjuhë.
Në Shqipëri, Rama flet nga lart-poshtë. Në Izrael, nga poshtë-lart. Një transformim që s’e bën dot as Photoshop-i.
Kulmi i performancës erdhi kur kryeministri vendosi të na japë edhe renditjen botërore të oratorëve, sipas mendjes së tij:
Netanyahu – top 5. Trump – i pari. Rama – i dyti (natyrisht).
Edhe kur përkulet, Edi Rama arrin të lavdërojë veten. Një talent i rrallë: servilizëm me vetëreklamë të integruar.
“I dashur Bibi,” i tha ai Netanyahut, me një intimitet që do ta bënte xheloz çdo diplomat karriere. Në atë moment mungonte vetëm një karrige e vogël, që Rama të ulej përpara bankës dhe të priste verdiktin: “Kalove” apo “eja në shtator”.
Ndërkohë që shqiptarët përballen me rritje çmimesh që s’ndalen, paga që s’rriten dhe shërbime që s’punojnë, lideri ynë global merret me dridhjen e gjunjëve dhe me mbijetesën e egos së tij para liderëve të tjerë.
Bravo Edi! Vazhdo të dridhesh atje, se këtu na ke lënë prej kohësh të mpirë. Vetëm një lutje kemi: kur të kthehesh në Rinas, provo të ecësh drejt realitetit shqiptar me të njëjtën përulësi që pate sot para “Bibit”.
Populli yt s’është audiencë provimi! Është fatura finale!