23-vjeçari vdes pas aksidentit, prindërit denoncojnë mjekët për neglizhencë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.01.2026, 20:22

Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen Togu, pasi 23-vjeçari Albert Togu ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, disa ditë pas një aksidenti të rëndë rrugor. Prindërit e të riut kanë depozituar kallëzim penal në Prokurori ndaj mjekëve të Spitalit të Traumës, duke i akuzuar për neglizhencë mjekësore dhe duke i bërë përgjegjës për vdekjen e djalit të tyre.

Familjarët bëjnë me dije se Alberti ndodhej i shtruar në Spitalin e Traumës pas aksidentit dhe se gjendja e tij, sipas tyre, nuk u trajtua siç duhet nga stafi mjekësor. Babai i të riut, Kujtim Togu, i tronditur nga humbja, deklaron se djali i tij nuk humbi jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e aksidentit, por për shkak të neglizhencës gjatë trajtimit në spital.

Sipas tij, pas vdekjes, trupi i 23-vjeçarit është dërguar në morg, por ende nuk është kryer autopsia. Ai thekson se mjekësia ligjore nuk mund të vijojë procedurën pa kartelën klinike të pacientit, e cila, sipas familjes, nuk është lëshuar ende nga Spitali i Traumës.

Albert Togu u aksidentua rreth një javë më parë në Gjorm të Kurbinit, teksa udhëtonte në një automjet tip “Audi” bashkë me dy persona të tjerë. Automjeti dyshohet se doli nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore, duke lënë të plagosur të rinjtë që ndodheshin brenda.

Ndërkohë, Prokuroria pritet të nisë verifikimet për rrethanat e vdekjes së 23-vjeçarit dhe për akuzat e ngritura nga familjarët ndaj stafit mjekësor, për të përcaktuar nëse ka pasur apo jo neglizhencë në trajtimin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit