Nga “ushtar” i mafies te i dyshuari kryesor: Kush është Juliand Halili dhe roli i tij në vrasje

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.01.2026, 18:43

Një zhvillim i ri po orienton hetimet e autoriteteve greke për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj, i cili u gjet i pajetë disa ditë më parë në zonën G të burgut të sigurisë së lartë në Korydallos. Pavarësisht se fillimisht një i dënuar grek u vetëdeklarua si autor, hetuesit po shqyrtojnë seriozisht një skenar tjetër: përfshirjen e një të burgosuri me origjinë shqiptare, me precedentë të shumtë penalë.

Në fokus të dosjes është Juliand Halili (44 vjeç), i njohur edhe si Xhuliano Halili apo Niko. Sipas policisë greke, ai konsiderohet një element me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe lidhet me një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në Greqi. Hetimet aktuale e përfshijnë atë si të dyshuar edhe për vrasjen e fundit brenda Koridhalos.

Burime hetimore bëjnë me dije se Halili dyshohet se ka vepruar për vite me radhë nën urdhrat e Vasilis Varelas, një emër i njohur i krimit të organizuar grek, i përfshirë në trafikun e narkotikëve dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Sipas dosjes, bashkëpunimi mes tyre daton që prej fundit të viteve 2000, periudhë gjatë së cilës Halili akuzohet për pjesëmarrje në disa atentate dhe vrasje të porositura.

Autoritetet rendisin një sërë ngjarjesh të rënda të lidhura me këtë rrjet, përfshirë atentate të dështuara dhe ekzekutime që dyshohet se ishin pjesë e përplasjeve kriminale për larje hesapesh. Në vitin 2018, Halili u arratis gjatë një transferimi nga Porti i Pireut, por u kap sërish pas pak kohe nga policia.

Rasti më i fundit që ka tronditur opinionin publik ndodhi në qershor 2024, brenda të njëjtit burg, ku Halili dyshohet se vrau një të burgosur dhe plagosi një tjetër. Sipas hetimeve, ngjarja dyshohet të jetë porositur nga jashtë ambienteve të burgut, me motiv përfitimin financiar.

Ndërkohë, hetimet për vrasjen e Jani Aliajt vijojnë. Autoritetet greke po analizojnë provat dhe dëshmitë për të përcaktuar rolin e secilit dhe për të zbardhur nëse kemi të bëjmë me një krim të porositur brenda mureve të burgut apo me një skenar më kompleks të krimit të organizuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit