Është një skenë që përsëritet pothuajse çdo ditë dhe që kthehet në një stres të përhershëm për drejtuesit e mjeteve. Përveç trafikut të rënduar në Tiranë, qytetarët përballen vazhdimisht edhe me sjellje të papërgjegjshme në rrugë, si parakalimi i rrezikshëm që shihet në pamje.
Shoferë që nuk durojnë dot të presin si të gjithë të tjerët, zgjedhin rrugën më të gabuar, të thyejnë rregullat, parakalojnë pa kriter dhe futen me forcë në krye të radhës. Me këto veprime, ata jo vetëm krijojnë kaos, por shndërrohen edhe në burim real rreziku për aksidente.
Edhe pse policia ndërhyn me gjoba dhe masa ndëshkuese, ky fenomen vijon të mbetet shqetësues dhe larg zgjidhjes. Një qytetar, i cili ka dërguar edhe videon, shpreh hapur indinjatën e tij: “Përshëndetje JOQ! Ku mund t’i denoncojmë tjetër këta tipa që të jetë mjaftueshëm për të marrë masa “qeveria”. Përditë një avaz! Ore faj kanë këta që vjedhin, po kanë dhe këto barinjtë me makina.”
Mesa duket përveç gjobave, zgjidhja e vetme mbetet vetëdijesimi i shoferëve, një proces që të paktën për momentin duket ende shumë larg realitetit!