Një video e publikuar së fundmi tregon momentin e shpërthimit tragjik që ndodhi këtë të hënë në fabrikën “Violanta” në Trikala, ku humbën jetën pesë punëtorë. Pamjet janë regjistruar nga një kamerë sigurie e vendosur në një ndërtesë pranë zonës së incidentit.
Trupat e katër viktimave u gjetën në orët e para të mëngjesit, ndërsa autoritetet njoftuan familjarët për identifikimin e tyre. Shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur, por fatmirësisht ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Trupi i viktimës së pestë u lokalizua pasditen e sotme.
Hetuesit po analizojnë disa pista lidhur me shkaqet e shpërthimit, ku ndër skenarët kryesorë përmendet një rrjedhje gazi brenda fabrikës, veçanërisht në zonën e prodhimit ku ndodhen furrat, ose një shkëndijë që mund të ketë shkaktuar zjarrin.
Sipas të dhënave paraprake, kompania dispononte dy rezervuarë të mëdhenj në oborrin e fabrikës, të mbushur me një përzierje propani dhe butani. Gazi transportohej drejt ambienteve të brendshme përmes tubacioneve speciale për të siguruar funksionimin e procesit të prodhimit.