Prej më shumë se një jave, aktiviteti i mijëra bizneseve në vend është praktikisht i paralizuar, për shkak të mosfunksionimit të sistemit SelfCare, një nga platformat kryesore që operon përmes e-Albania.
Edhe pse ky sistem ka shfaqur probleme edhe më parë, ai ka qenë i aksesueshëm herë pas here. Së fundmi, megjithatë, SelfCare ka dalë plotësisht jashtë funksioni, duke pamundësuar çdo veprim për përdoruesit. Ankesat e bizneseve kanë mbetur pa përgjigje, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje konkrete.
Përgjigjja zyrtare e AKSHI-t për mediat ka qenë “Sistemi është në rregull.”
Ndërkohë, burime pranë institucionit bëjnë të ditur se situata lidhet me probleme në tenderin e mirëmbajtjes, si dhe me një valë dorëheqjesh në radhët e AKSHI-së. Po sipas të njëjtave burime, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet për tenderët e dhënë nga ky institucion ndër vite.
Në të njëjtën kohë, profesionistë dhe biznese kanë dërguar dhjetëra ankesa me email në adresat e institucioneve përkatëse, duke ngritur alarmin për pamundësinë e kryerjes së detyrimeve ligjore.
Situata bëhet edhe më paradoksale në kushtet kur investimet në qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm në vitin 2025, fondet për e-qeverisjen u trefishuan, duke arritur në 201 MILIARDË Lekë (mbi 200 MILIONË €), nga rreth 33 MILIARDË Lekë në vitin 2019. Në total, në katër vite janë shpenzuar rreth 484 MILIARDË Lekë, ose afro 500 MILIONË €.