Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë rrugor që ndodhi këtë të hënë në aksin Kabash–Porocan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj.
Nga ngjarja humbi jetën infermierja Dëshira Hoxha, e cila konfirmohet si një nga viktimat. Mësuesja Albana Boja mbeti e plagosur rëndë dhe u dërgua në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa drejtuesi i kamionçinës ndodhet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në spitalin e Gramshit.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, drejtuesi i mjetit ka komunikuar edhe gjatë qëndrimit në sallën e operacionit dhe, pavarësisht gjendjes së rëndë, ka deklaruar se mësuesja dhe infermierja kishin ndërruar jetë pas aksidentit.
Aksidenti ndodhi kur mjeti, në të cilin udhëtonin tre persona të stafit të shërbimeve publike në fshatra, doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e emergjencës dhe policia, të cilat kryen veprimet e para hetimore.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Sipas dyshimeve paraprake, kushtet e vështira të rrugës dhe terreni i thyer mund të kenë kontribuar në humbjen e kontrollit të mjetit.