Pas njoftimit për “shkrirjen” e Kadastrës së Vlorës dhe zhvendosjen e saj në Tiranë, 55 punonjës kanë nisur protesta brenda ambienteve të institucionit. Ata kanë firmosur gjithashtu një peticion kundër këtij vendimi, duke kërkuar rishikimin e menjëhershëm të tij.

Peticioni i firmosur
Punonjësit janë njoftuar më 23 janar për zhvendosjen, ndërsa sot drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka vulosur mbylljen e strukturave vendore në Vlorë. Vendimi hyn në fuqi më 1 shkurt 2026 dhe parashikon transferimin e shërbimeve të menaxhimit të pronave nga Vlora në kryeqytet, me argumentin e “përmirësimit të organizimit të punës” dhe “rritjes së eficencës”.
Në peticionin drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, drejtueses së saj, kryeministrit Edi Rama dhe prefektes së qarkut, punonjësit shprehen kategorikisht kundër zhvendosjes. Sipas tyre, transferimi drejt Tiranës do të sillte edhe zhvendosjen e stafit që shqyrton dosjet e pronave, një ngarkesë që ata thonë se nuk e përballojnë dot, duke kërkuar që Kadastra e Vlorës të vijojë funksionimin normal në qytet.