‘Rruga e vdekjes’ në Shëngjergj rrezikon shoferët, autoritetet vetëm e fotografojnë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.01.2026, 14:21

Banorët e Shëngjergjit dhe drejtuesit e mjeteve i janë drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një situatë alarmante, e cila prej muajsh po rrezikon seriozisht jetën e tyre. Bëhet fjalë për një segment rrugor pranë një kthese, i cili është krejtësisht i shkatërruar dhe i shembur, duke u kthyer në një kurth vdekjeprurës për çdo automjet që kalon aty.

Rruga e shembur të çon drejt humnerës dhe çdo gabim, sado i vogël, mund të ketë pasoja fatale. Në rast aksidenti, mjeti rrezikon të përfundojë direkt në greminë, pa asnjë mundësi shpëtimi. Banorët shprehen se është vetëm çështje kohe derisa të ndodhë një tragjedi.

Situata bëhet edhe më e rrezikshne gjatë natës, pasi mungesa totale e ndriçimit e bën thuajse të pamundur shikimin. Pjesa e shembur nuk dallohet, rruga nuk paralajmërohet me asnjë sinjalistikë dhe shoferët ecin në errësirë totale, duke shkuar me drejt një rreziku të pa imagjinueshëm.

Sipas qytetarëve, kjo rrugë “vdekjeprurëse” ndodhet në këtë gjendje prej më shumë se dy muajsh. Megjithë ankesat e shumta drejtuar institucioneve përkatëse, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për riparimin e saj. Banorët denoncojnë se autoritetet shfaqen në zonë vetëm për foto dhe më pas zhduken, duke e lënë problemin të pazgjidhur.

Heshtja dhe neglizhenca institucionale në këtë rast janë po aq të rrezikshme sa vetë rruga. Çdo ditë që kalon pa ndërhyrje është një rrezik më shumë për jetën e qytetarëve. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë dhe tronditëse: a duhet të humbasë dikush jetën që kjo rrugë të merret seriozisht?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit