Dhuroni këtu nga linku GoFundMe!
Luan Gorenca, një shqiptar që prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i është drejtuar me zemër të thyer redaksisë sonë, duke kërkuar ndihmën dhe solidaritetin e shqiptarëve kudo që ndodhen. Arsyeja është dramatike pasi bashkëshortja e tij, Nereida Gorenca, po përballet me një betejë jetike.
Nereida është nënë e dy fëmijëve të mitur, 8 dhe 16 vjeç, të cilët çdo ditë luten të shohin nënën e tyre të buzëqeshë sërish. Pak kohë më parë, ajo u diagnostikua me kancer gjiri dhe për më shumë se një vit e gjysmë iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale, duke kaluar një rrugë të gjatë dhe të dhimbshme trajtimesh në përpjekje për të mposhtur sëmundjen.
Megjithatë, pas operacioneve, kimioterapisë, rrezatimit dhe imunoterapisë, familja u përball me një lajm shkatërrues. Në fillim të muajit janar, Nereida u diagnostikua me një tumor të avancuar në tru. Sëmundja është përhapur dhe ajo ka nevojë për trajtime intensive, të specializuara dhe urgjente, për të pasur një shans për jetën.
Luani tregon me dhimbje se është detyruar të reduktojë ndjeshëm orët e punës për t’u kujdesur për bashkëshorten e tij të sëmurë, për dy fëmijët e tronditur dhe nënën e tij të moshuar. I pafuqishëm përballë kostove të larta të kurimit, ai u bën thirrje me përulësi të gjithë shqiptarëve për ndihmë dhe mbështetje.
Çdo kontribut, sado i vogël, është një dritë shprese më shumë për Nereidën dhe për fëmijët e saj, të cilët ëndërrojnë vetëm një gjë, ta shohin nënën e tyre të shëruar dhe sërish pranë tyre.