Banorët e lagjes 14 në Durrës denoncojnë një situatë të papranueshme, shtëpitë e tyre janë prishur pa asnjë paralajmërim dhe pa afat të dhënë për largim. Ata thonë se janë nxjerrë në rrugë papritur, pa asnjë strehë ose ndihmë, duke lënë pas gjithë pronat dhe kujtimet e tyre.
Një nga banorët shprehet se ndihen të braktisur dhe të pasigurt, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet. Pamjet dhe video të dërguara në redaksi tregojnë banorët jashtë shtëpive të tyre, duke protestuar dhe duke u lutur për ndihmë.
Sipas tyre, asnjë punonjës bashkie nuk ka komunikuar më parë planin për prishjen, dhe situata ka shkaktuar panik dhe shqetësim të madh në komunitet. Banorët kërkojnë që bashkia dhe kryetarja e bashkisë Emirjana Sako, të ndërhyjnë dhe të ofrojnë zgjidhje të përkohshme për strehim.