Drejtues i një grupi kriminal në Krujë, arrestohet në Dubai Bujar Sefa

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.01.2026, 11:26

I jepet fund arratisë së një prej anëtarëve të grupit Rraja. 39-vjeçari Bujar Sefa alias Xaka, është arrestuar në Dubai, një nga destinacionet ku shpesh strehohen persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sefa ishte në kërkim nga SPAK, si pjesë e grupit kriminal të Rrajave, i goditur në dhjetor të vitit 2020, i dyshuar për trafikimin e të paktën 2.4 tonëve marijuanë dhe kokainë nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bujar Sefa konsiderohet një nga drejtuesit kryesorë të grupit kriminal, ndërsa Gjykata e Posaçme, më 23 dhjetor 2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për një sërë veprash penale, përfshirë:

kultivimin e bimëve narkotike,

prodhimin dhe shitjen e narkotikëve,

pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal,

kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale,

si dhe mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve dhe municioneve.

Interpol Tirana pritet të nisë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Hetimet e SPAK ndaj këtij grupi kriminal u intensifikuan pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SkyECC, çka çoi në arrestimin e tre anëtarëve të fisit Rraja: Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja, ky i fundit djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Në dhjetor, Prokuroria e Posaçme i komunikoi masën e sigurisë “arrest me burg” edhe Islam Sefës, vëllait të Bujar Sefës. Ai u arrestua në korrik 2024 pranë ambienteve të SPAK, i akuzuar si drejtues dhe financues i një grupi kriminal që trafikoi 912 kilogramë marijuanë, me vlerë rreth 3.3 milionë euro, drejt Gjermanisë.

Ndërkohë, Bujar Sefa, i shpallur në kërkim edhe për këtë operacion, u dënua në mungesë me 10 vite burg më 1 korrik 2024, si drejtues i një grupi kriminal që kultivonte kanabis në disa zona të Krujës.

Sipas të dhënave të mëparshme, Bujar dhe Islam Sefa rezultojnë të dënuar edhe në Itali në vitin 2021, përkatësisht me 12 dhe 9 vite burg, si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë nga Holanda drejt Venezias gjatë viteve 2016–2017.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit