Emigrantët shqiptarë dërguan rreth 1.4 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të Eurostat, një shifër më e lartë se ajo e raportuar nga Banka e Shqipërisë, e cila i vlerëson remitancat rreth 1 miliard euro. Këto transferta përfaqësojnë kryesisht para të dërguara nga emigrantët te familjet e tyre, pa kundërshpërblim, dhe përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Sipas ndarjes sipas shteteve, Italia vijon të kryesojë me 370 milionë euro ose rreth 26% të totalit të dërgesave. Në vend të dytë renditet Mbretëria e Bashkuar me 243 milionë euro, e ndjekur nga Gjermania me 231 milionë euro. Greqia, tradicionalisht një nga burimet kryesore të remitancave, zbret në vendin e katërt me 202 milionë euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen të pestat me 159 milionë euro.
Eurostat thekson se në total, Shqipëria ka përfituar rreth 2.1 miliardë euro në 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, ku 68% e kësaj shume ishin remitanca të emigrantëve. Të dhënat tregojnë një ndryshim të qartë në gjeografinë e emigracionit shqiptar, me rritje të ndjeshme të rolit të vendeve si Britania e Madhe dhe Gjermania, krahas Italisë, në mbështetjen financiare të familjeve në Shqipëri.