Vrasja në burgun e Koridhalos, Xhuliano Halili në qendër të hetimeve si autor i dyshuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.01.2026, 08:58

Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo ka marrë një kthesë të re, teksa autoritetet greke kanë ngritur dyshime serioze se autori i krimit mund të jetë Xhuliano Halili, 44 vjeç, nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas mediave greke, Halili ndodhej në të njëjtin sektor dhe në qeli pranë viktimës. Ai është konstatuar i plagosur pas ngjarjes, fakt që ka shtuar dyshimet për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në vrasje.

Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori përsipër një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, i cili u vetëdorëzua në polici duke deklaruar se ishte autori. Megjithatë, hetuesit kanë vënë re se në trupin e tij nuk ka shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi i dëmtuar fizikisht në vendngjarje rezulton të ketë qenë Xhuliano Halili.

Ndërkohë brenda komunitetit të burgjeve, që në orët e para pas ngjarjes, është përfolur se Halili është autori real i krimit, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se mund të jetë paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër fajin. Këto indicie kanë shtyrë policinë greke të thellojë hetimet dhe të rishikojë versionin fillestar të ngjarjes.

Ndërkohë, burime të tjera raportojnë se Jani Aliaj ishte përmendur prej vitesh në dosje hetimore si person i dyshuar për përfshirje në përplasjet e të ashtuquajturës “Mafia greke”, ndonëse këto dyshime nuk janë provuar kurrë zyrtarisht.

Xhuliano Halili, i njohur edhe me nofkën “Niko”, konsiderohet si një nga personazhet më të rrezikshëm të botës së krimit në Greqi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje me pagesë. Në vitin 2011, në Kalamata, ai akuzohet se vrau Fillim Mesajan dhe djalin e tij të mitur, një krim i porositur për larje hesapesh nga krimineli grek Vasilis Varelas.

Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, por u arrestua disa orë më vonë. Ndërsa në qershor të vitit 2024, brenda të njëjtit burg të Koridhalos, ai vrau Alfons Ndocin dhe plagosi një tjetër të burgosur, në një ngjarje që dyshohet se ishte e porositur nga jashtë.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së Jani Aliajt dhe për të përcaktuar autorin e vërtetë të krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit