Një stuhi e fortë dimërore ka paralizuar transportin ajror në Shtetet e Bashkuara, duke çuar në anulimin e mbi 11 mijë fluturimeve vetëm gjatë ditës së diel. Ky është numri më i lartë i fluturimeve të anuluara në një ditë të vetme që prej fillimit të pandemisë COVID-19.
Sipas të dhënave nga FlightAware, ky bilanc është më shumë se dyfishi i anulimeve të regjistruara një ditë më parë. Ndërkohë, mbi 2 400 fluturime të tjera janë anuluar paraprakisht për ditën e hënë.
Shërbimi Kombëtar i Motit bën me dije se stuhia po sjell reshje të dendura dëbore, shi të ngrirë dhe akull nga Rajonet Jugore të Rocky Mountains deri në New England, me ndikim të gjerë në disa shtete.
Në zonën e Uashingtonit, aeroporti Ronald Reagan National njoftoi se të gjitha fluturimet për ditën e diel janë anuluar, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin rrugët e akullta. Edhe aeroporti LaGuardia në Nju Jork u mbyll përkohësisht, pasi mbi 90% e fluturimeve u anuluan.
Probleme janë raportuar edhe në Dallas, Atlanta, Charlotte dhe Filadelfia, ku aeroportet paralajmërojnë për vonesa dhe ndryshime të vazhdueshme në oraret e fluturimeve.
Sipas Flightradar24, kompania më e prekur nga anulimet është American Airlines, e ndjekur nga United dhe Delta. Për shkak të situatës, linjat ajrore kanë nxjerrë politika lehtësuese, duke u lejuar pasagjerëve të ndryshojnë planet e udhëtimit pa penalitete.