Kjo video rikthen në vëmendje një nga momentet më drithëruese të historisë moderne: çastin kur Presidenti George W. Bush mëson se bota sapo ka ndryshuar përgjithmonë. Është mëngjesi i 11 shtatorit 2001. Bush ndodhet në shkollën fillore “Emma E. Booker” në Florida, i ulur përballë një klase me fëmijë që po lexonin përrallën “The Pet Goat”.
Në video shihet qartë momenti kur Shefi i Stafit i afrohet dhe i pëshpërit në vesh fjalët që do të nisnin një epokë të re frike: “Një avion i dytë ka goditur kullën tjetër. Amerika është nën sulm”.
Për rreth shtatë minuta, Bush qëndroi i ulur në heshtje, me një vështrim të ngrirë dhe shprehje që reflektonte një peshë të jashtëzakonshme. Për vite me radhë, kjo heshtje u kritikua si "humbje kontrolli" apo pasiguri. Megjithatë, e vërteta pas asaj fytyre të gurtë ishte një vendim i vetëdijshëm lideri.
Në dëshmitë e tij të mëvonshme, Bush ka shpjeguar se reagimi i parë ishte zemërimi i pastër, por kontrasti mes tmerrit që po ndodhte jashtë dhe pafajësisë së fëmijëve para tij, e detyroi të ruante qetësinë. Ai pa gazetarët në fund të klasës që po merrnin lajmin në telefonat e tyre dhe e kuptoi se sytë e gjithë botës ishin mbi të.
“Nuk doja të krijoja panik. Si udhëheqës, gjëja e parë që duhet të bësh në krizë është të projektosh stabilitet,” ka treguar ai. Ai qëndroi ulur deri në fund të leximit, duke përjetuar minutat më të rënda të presidencës së tij, përpara se të largohej për t’u përballur me realitetin tragjik ku humbën jetën gati 3 mijë persona.
Sulmet e 11 shtatorit ndryshuan rrënjësisht sigurinë globale dhe politikën botërore, duke e ndarë historinë në "para" dhe "pas". Por për njeriun më të fuqishëm të botës, ajo dritë nisi mes asaj qetësie të rreme: në një klasë fillore, përballë fëmijëve që nuk e kishin idenë se jashtë atyre mureve, historia sapo kishte marrë një kthesë dramatike.