Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, raportohet se është zhvendosur në një bunker nëntokësor me siguri të lartë, mes frikës për një sulm të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të përshkallëzohen.
Sipas burimeve për mediat e huaja, masa është marrë në një moment kur zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar për një rrezik të shtuar të sulmeve amerikane, ndërsa protestat brenda vendit vijojnë dhe forcat e sigurisë iraniane janë akuzuar për vrasjen e mijëra protestuesve.
Thuhet se bunkerët janë të ndërtuar për skenarë lufte dhe se gjatë kësaj periudhe, djali i tretë i Khameneit, Masoud, ka marrë në dorë menaxhimin e çështjeve të përditshme të udhëheqësit suprem.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po zhvendosin anije luftarake drejt Iranit “për çdo rast”, duke shtuar se një flotë e madhe është nisur drejt rajonit, edhe pse, sipas tij, mund të mos ketë nevojë të përdoret.
Një zyrtar i Marinës Amerikane konfirmoi se aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, së bashku me anije të tjera luftarake, ndodhet aktualisht në Oqeanin Indian.
Tensionet janë rritur ndjeshëm pas një vale protestash në Iran që nisën më 28 dhjetor, të nxitura nga kolapsi i monedhës vendase, rialit. Trump ka paralajmëruar më herët Teheranin, duke vendosur dy “vija të kuqe”: vrasjen e protestuesve paqësorë dhe ekzekutimet masive të personave të arrestuar gjatë protestave.
Edhe pse autoritetet iraniane kanë ndalur ekzekutimin e rreth 800 personave të ndaluar, burime pranë administratës amerikane thonë se pakënaqësia ndaj mënyrës se si po menaxhohet situata nga Khamenei mbetet e lartë.
Një zyrtar iranian, duke folur në kushte anonimiteti, paralajmëroi se çdo sulm nga SHBA do të konsiderohej si “luftë e gjithanshme”, duke theksuar se Irani është në gatishmëri të plotë ushtarake.
Së fundmi, televizioni shtetëror iranian transmetoi edhe një mesazh kërcënues ndaj Trump, duke deklaruar se “këtë herë plumbi nuk do të humbasë shënjestrën”, shoqëruar me pamje nga tentativa e dështuar për atentat ndaj tij në vitin 2024, çka ka shtuar edhe më tej shqetësimet për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës.